Bilanci arsimor i vitit 2025: pa libra, pa bursa dhe pa barazi

Viti 2025 u shënua nga sfida të vazhdueshme në sistemin arsimor të Maqedonisë së Veriut, ku problemet strukturore, pabarazia etnike dhe mungesa e mbështetjes institucionale vazhduan të ndikojnë thellë në cilësinë e arsimit. Në të gjitha nivelet, nga parashkollori deri te arsimi i lartë, u evidentuan boshllëqe që lidhen me infrastrukturën, kurrikulat, mungesën e teksteve, subvencionet dhe bursat, si dhe shfrytëzimin e mundësive të limituara për të rinjtë, sidomos për shqiptarët.

REFORMA NË ARSIM

Në arsimin fillor, për pesë vite me radhë, nxënësit dhe mësimdhënësit kishin funksionuar pa libra bazë, duke u mbështetur në materiale të improvizuara. Në fund të janarit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) shpalli thirrje publike për sigurimin e këtyre teksteve, duke premtuar se nga shtatori 2025–2026 problemi do të mbyllet përfundimisht. Megjithatë, edhe pas fillimit të vitit shkollor, shpërndarja e librave nuk ishte e plotë, pasi disa nxënës nuk morën tekstet fizike, disa lëndë kishin vetëm versione online të librave që nxënësit nuk mund t’i përdornin plotësisht, ndërsa libra të tjerë ishin të vjetër ose të dëmtuar.

Paralelisht u hapën konkurse për tekste të reja për klasën e shtatë, përfshirë lëndë shkencore dhe gjuhën shqipe si zgjedhore, ndërsa u konfirmua se librat do të mbeten falas për nxënësit, por realiteti tregoi se mungesa dhe shpërndarja e pjesshme e librave vazhdoi, duke lënë shumë nxënës dhe mësimdhënës në vështirësi. Reforma e arsimit të mesëm nxiti debate profesionale dhe reagime nga Instituti i Pedagogjisë, i cili e cilësoi si hap prapa shfuqizimin e lëndës së Pedagogjisë. Ekspertët argumentuan se ky vendim do të varfëronte formimin etik, shoqëror dhe edukativ të të rinjve dhe nuk mbështetej në analiza shkencore, duke nxjerrë në pah mungesën e konsultimeve serioze me profesionistët gjatë hartimit të reformave.

SHKOLLA QË BOSHATISEN DHE NXËNËS QË LARGOHEN

Të dhënat e prillit treguan një ulje të ndjeshme të numrit të nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm, ndërsa rastet konkrete, si ai i Kumanovës, zbuluan paradoksin e ndërtimit të shkollave të reja pa nxënës. Kushtet e dobëta infrastrukturore, mungesa e ngrohjes dhe ambientet e papërshtatshme u identifikuan si faktorë që kanë shtyrë shumë të rinj drejt migrimit ose arsimit jashtë vendit. Paralelisht, u evidentua edhe problematika me rritjen e numrit të mësuesve përballë uljes së nxënësve, duke krijuar pasiguri për të ardhmen e stafit arsimor.

Në maj, kriza u reflektua drejtpërdrejt te maturantët. Për shumë prej tyre, universiteti nuk shihej më si investim i sigurt. Maturantët përjetuan një zhgënjim të thellë për perspektivat që ofronte arsimi i lartë. Numri i studentëve ra ndjeshëm për shkak të mungesës së bursave, kostove të larta dhe një tregu pune të dominuar nga nepotizmi. Shumë maturantë shqiptarë, por jo vetëm, zgjedhën zanatet ose emigrimin si alternativa më të sigurta. Situata tregoi se arsimi i lartë, pa politika mbështetëse dhe subvencione adekuate, nuk mund të funksiononte si një instrument për zhvillimin social dhe ekonomik të të rinjve.

Gjatë verës, në fokus ishin kushtet e jetesës studentore dhe arsimi parashkollor. U evidentua se konviktet mbeten një domosdoshmëri ekonomike për shumë studentë shqiptarë, por kapacitetet janë të pamjaftueshme dhe kushtet shpesh problematike. Nga ana tjetër, sa i përket kopshteve, vetëm rreth 9 për qind e vendeve në kopshte janë në gjuhën shqipe, ndërsa mijëra fëmijë, kryesisht shqiptarë, mbesin çdo vit jashtë sistemit. Kjo u cilësua si diskriminim që nis që në moshën më të hershme.

Në shtator, u publikuan të dhëna alarmante për rënien e interesimit për studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe, me vetëm 15 studentë të regjistruar në afatin e parë në UKM. Profesorët e lidhën këtë trend me migrimin, mungesën e perspektivës dhe kushtet e dobëta të punës për mësimdhënësit e shqipes. Në të njëjtën kohë, nisi viti i ri akademik me premtime për digjitalizim, bursa dhe subvencione, por realiteti në terren tregoi se shumë studentë mbetën jashtë përfitimeve për shkak të interpretimeve burokratike të të ardhurave.

DISKRIMINIM DHE PABARAZI

Ndërkaq, vëmendja ndaj arsimit dhe mundësive për të rinjtë nxori në pah disa çështje të thella që kërkojnë reflektim dhe veprim institucional. Vetëm studentët e programeve në gjuhën maqedonase morën 15 bursa për vitin akademik 2025/2026, ndërsa studentët e programeve në gjuhën shqipe mbetën pa asnjë mbështetje financiare. Ky vendim nxiti shqetësim për mungesën e barazisë institucionale dhe evidencoi trajtimin e pabarabartë të gjuhëve zyrtare, duke ulur mundësitë dhe motivimin e studentëve të gjuhës shqipe.

Në të njëjtën kohë, ndarja e bursës presidenciale “Boris Trajkovski” nuk përfshiu asnjë student shqiptar, duke rritur dyshimet për mungesë transparence dhe trajtim joproporcional, dhe duke evidentuar modelin e përsëritur të pabarazisë në politikat arsimore.

Viti u mbyll me një panoramë që tregonte nevojën urgjente për reforma strukturore. Komuniteti shqiptar vazhdoi të përballej me pabarazi në arsimin parashkollor, fillor dhe të lartë, duke nxjerrë në pah nevojën për politika të drejta, mbështetje konkrete për nxënësit dhe studentët, dhe investime serioze në infrastrukturë dhe burime njerëzore. Vonesat, mungesa e bursave dhe diskriminimi në përzgjedhjet akademike reflektuan një sistem arsimor ku barazia dhe mundësitë reale nuk ishin të garantuara për të gjithë. /Koha/

REKLAMË

REKLAMË

lajmet e fundit

“Mosmirënjohëse, prisja një faleminderit”, Mateo i zhgënjyer nga Brikena

Pas momentit me Brikena Selmanin në shtëpinë e Big Brother VIP, Mateo, ka folur në dhomën e rrëfimit për vendimin e tij për t’i...

Serwer: “Bota serbe” është kërcënim vdekjeprurës për Ballkanin dhe fund i shpresave të Serbisë për BE-në

Profesori amerikan i Universitetit Johns Hopkins dhe njohësi i njohur i Ballkanit, Daniel Serwer, vlerëson se koncepti i ashtuquajtur “Bota serbe” përfaqëson një rrezik...

SPAK-u po vjen në Kosovë, Altin Dumani mes kandidatëve kryesorë për drejtimin e SPAK-Kosova

Në bashkëpunim mes Qeverisë së Kosovës dhe Administratës Amerikane, edhe në Kosovë do të themelohet SPAK-u! Nga burime të disa mediave kosovare merret vesht se...

Valon Syla: Albin, mos lësho pe, se sa ma budallë, ma i poshtër, ma shumë po dhezë

Opinionisti Valon Syla ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke ironizuar kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për zgjedhje të reja,...

Arabia Saudite nis sulme ajrore në Jemenin lindor

Forcat Ajrore Mbretërore Saudite kanë kryer sulme ajrore kundër separatistëve nga Këshilli Kalimtar Jugor (STC) në Al Ghaydah, kryeqytetin e Guvernatorit Al Mahrah në...

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu