Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Arben Taravarit, duke e akuzuar atë për hipokrizi politike dhe qëndrime kontradiktore. Sipas ASH-së, Taravari, i njohur për ndryshime të shpeshta qëndrimesh dhe vasalitet politik, ka akuzuar padrejtësisht kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, se “qëndron pas dyerve të Qeverisë” për të hyrë në pushtet.
Nga ASH theksojnë se reagimi më i mirë ndaj këtyre akuzave ka ardhur nga vetë qytetarët, të cilët përmes komenteve dhe reagimeve publike ia kanë rikujtuar Taravarit veprimet dhe deklaratat e tij kontraverse ndër vite. Sipas tyre, kërkesa e koalicionit ku bën pjesë Taravari për një takim të ri mes Ali Ahmetit dhe kryeministrit Hristijan Mickoski është dëshmi e qartë e qëndrimit “pas dyerve të Qeverisë”.
ASH rikujton se Taravari ka demonstruar disa herë përpjekje për t’u bërë pjesë e pushtetit, përfshirë edhe iniciativën e dështuar për formimin e një qeverie me Mickoskin dhe Apasievin, si dhe hyrjen më pas në atë që e quajnë “qeveri jolegjitime” si pjesë e koalicionit VLEN.
“Taravari sot akuzon për tradhti, vasalitet dhe përçarje, ndërkohë që vetë ka qenë shembulli më i qartë i këtyre veprimeve,” thuhet në reagimin e ASH-së. Sipas tyre, veprimet e tij më shumë se politikë serioze, po shndërrohen në burim ironie dhe “humori të zi” për opinionin publik shqiptar.
Reagimi është nënshkruar nga Aleanca për Shqiptarët, me kryetar Ziadin Sela.
