Pak orë para fillimit të protestës në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Stojançe Angelov, ish-pjesëtar i njësive speciale maqedonase gjatë konfliktit të vitit 2001, ka publikuar një status provokues në Facebook, ku sulmon drejtpërdrejt UÇK-në dhe ish-pjesëtarët e saj.
Në reagimin e tij, Angelov deklaron se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së që kanë kryer krime lufte duhet të përgjigjen sipas së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë edhe luftën e vitit 2001 në Maqedoni. Ai e cilëson si “absurde” çdo kërkesë për lirimin e personave të dyshuar apo të akuzuar për krime lufte dhe hedh dyshime mbi vetë protestën, duke e quajtur atë pjesë të një agjende të fshehtë politike.
Angelov shkon edhe më tej, duke vënë në pikëpyetje pse protesta po mbahet pikërisht në Shkup, dhe sugjeron se bëhet fjalë për një skenar të qëllimshëm për destabilizim politik, sulm ndaj qeverisë aktuale, VMRO-DPMNE-së dhe kryeministrit Hristijan Mickoski, si dhe për krijimin e kushteve për rikthimin e BDI-së në pushtet.
Në statusin e tij, Angelov përdor një gjuhë të ashpër dhe tendencioze, duke e trajtuar UÇK-në në mënyrë kolektive si strukturë kriminale dhe duke injoruar dallimin mes përgjegjësisë individuale dhe luftës çlirimtare. Ai flet për “kriminelë lufte” në mënyrë të përgjithshme, duke krijuar perceptimin se e gjithë UÇK-ja dhe ish-pjesëtarët e saj janë objekt i fajësisë kolektive, një narrativë e rrezikshme që bie ndesh me parimet themelore të drejtësisë ndërkombëtare.
Më tej, Angelov hedh insinuata për një “skenar të mirëorganizuar” dhe “agjendë të fshehtë”, duke e portretizuar protestën paqësore si tentativë për destabilizim të shtetit dhe sulm ndaj qeverisë. Kjo qasje shihet si përpjekje e hapur për frikësim, delegjitimim dhe nxitje të mosbesimit ndëretnik. Kulmi i provokimit vjen kur ai e lidh drejtpërdrejt protestën me skenarë politikë për rikthimin e BDI-së në pushtet, duke përdorur shqiptarët si instrument politik dhe duke i vendosur ata në pozicion fajtor për çdo zhvillim të mundshëm destabilizues.
