Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përcjellë një urim të veçantë me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Në mesazhin e tij, Gashi thekson se kjo ditë pasqyron rrugëtimin historik të shqiptarëve dhe sakrificat që kanë formuar identitetin kombëtar.
“28 Nëntori është simbol i unitetit, i rezistencës dhe i vlerave që na kanë mbajtur të fortë dhe të bashkuar,” shkruan ai, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj feste për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Gashi shton se si Kryetar i Kuvendit mbetet i përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe barazisë së shqiptarëve si popull shtetformues, duke punuar paralelisht për forcimin e bashkëjetesës me të gjitha komunitetet.
“Vëllazëria, respekti dhe uniteti janë shtyllat që na mbajnë stoik dhe faktor në vendin tonë,” thekson ai.
Ai e mbyll urimin me thirrjen për reflektim dhe frymëzim:
“Ta nderojmë veprën e paraardhësve, të vlerësojmë përparimin dhe të frymëzojmë brezat e rinj të kultivojnë idealin e kombit. Gëzuar 28 Nëntorin!”
