Më 11 janar 2014, mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi fillimin e një partneriteti strategjik dhe një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy shteteve.
Më 11 janar 2014, në Prizren u mbajt për herë të parë mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, një takim që u cilësua historik nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Edi Rama.
Në këtë mbledhje, dy qeveritë nënshkruan “Deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, duke vendosur bazat për bashkëpunim të zgjeruar në fusha kyçe si transporti, infrastruktura dhe tregtia. Po ashtu, u arrit pajtueshmëri për themelimin e një fondi të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës.
Duke hapur mbledhjen, Thaçi theksoi se takimi shënonte një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin.
Rama në anën tjetër, e vlerësonte si hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve shtetërore dhe institucionale mes dy vendeve.
Që nga ajo kohë, janë mbajtur gjithsej shtatë mbledhje të përbashkëta ndërqeveritare.
Mbledhja e fundit u zhvillua në nëntor të vitit të kaluar në Elbasan, ku u nënshkruan 13 marrëveshje të reja, përfshirë lehtësimin e procedurave për leje-qëndrim, rregullimin e trafikut lokal kufitar, hapjen e pikës së përbashkët kufitare Kukës–Dragash, lehtësira doganore, kalendarin e përbashkët kulturor dhe njohjen e diplomave.
