Prania e ish-partnerit rikthen plagë të vjetra dhe akuza për tradhti brenda shtëpisë më të famshme
Drama personale ka marrë një tjetër kthesë brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova, pasi Alba është parë tejet e prekur emocionalisht gjatë ditës së sotme, e ndikuar drejtpërdrejt nga hyrja e Limit, banorit më të ri të formatit, me të cilin ajo ka pasur një histori në të kaluarën.
Gjatë një bisede intime me Hygertën, Alba u shfaq mes lotësh, duke rrëfyer se ishte ndjerë e lënduar nga sjellja e Limit menjëherë pas hyrjes së tij në lojë. Sipas saj, ai nuk tregoi asnjë interes për gjendjen e saj emocionale, por zgjodhi të afrohej me banore të tjera — disa prej të cilave, sipas Albës, e kanë sulmuar dhe ofenduar më herët.
“Nuk erdhi të më pyes se si jam, shkoi, nisi me femra të tjera të bëjë muhabet, me femra që më kanë prekur në moral e më kanë shajtë, më kanë prekë edhe në familje,” u shpreh ajo mes lotësh.
Situata u bë edhe më e ndjeshme kur Alba preku një nga pikat më delikate të lidhjes së tyre të kaluar: tradhtinë, të cilën ajo pretendon se e kishte zbuluar vetë. Ajo tha se pas këtij zbulimi, Limi kishte tentuar të justifikohej dhe ta mohonte situatën, nga frika se ajo do ta linte.
“Ky do të vazhdojë lojërat e veta si ‘playboy’ e di se në publik kështu e nxjerr veten. Ky që kur ia zbulova tradhtinë, nisi të më justifikohej, të më arsyetohet se nuk është e vërtetë, kishte frikë prej meje se do i largohesha për punën e tradhtisë,” shtoi Alba.
Rikthimi i Limit duket se ka hapur plagë të pashëruara dhe ka vendosur Albën përballë një përplasjeje të fortë emocionale, ndërsa publiku po ndjek me vëmendje se si kjo histori e së kaluarës do të ndikojë në lojën dhe dinamikat e reja brenda shtëpisë.
