Këshilli i Prokurorëve Publikë hap një procedurë pas raportimit të prokurores Lençe Ristoska për kryeministrin Hristijan Mickoski, pasi ai e quajti publikisht atë “mediokre” dhe pjesë të një “matrice klienteliste-politike”, ndërsa ajo reagoi se deklarata të tilla ushtrojnë presion dhe shkelin pavarësinë në punën e saj.
Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, në një deklaratë të shkurtër për “Sloboden Peçat” konfirmoi se sot e kanë marrë njoftimin dhe do të veprojnë sipas Rregullores së miratuar për Sigurimin dhe Garantimin e Pavarësisë së Prokurorëve Publikë, përkatësisht do të formojnë një Komision i cili do të duhet të nxjerrë përfundime.
Rregullorja u miratua në nëntor të vitit të kaluar dhe sipas saj, nëse përcaktohet se një ngjarje e caktuar i plotëson elementët ligjorë të të qenit krim, iniciohet një procedurë para prokurorisë kompetente.
“Një shkelje e jashtme e pavarësisë është çdo veprim i personave jashtë prokurorisë publike dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë që kërcënon integritetin profesional të prokurorëve publikë dhe mund të vlerësohet si shkelje e kryerjes së pavarur, të përgjegjshme, të ligjshme, të paanshme dhe objektive të funksionit të prokurorisë publike”, thuhet në Rregullore.
Këshilli formon një komision prej tre anëtarësh, i cili mund të mbledhë të dhëna dhe informacione për të përcaktuar rrethanat. Komisioni mund të thërrasë prokurorin për të sqaruar akuzat dhe mund t’i kërkojë Mickoskit të japë një deklaratë me shkrim ose me gojë./Telegrafi/
