Qeveria gjermane ka nisur një anketë kombëtare, e cila kërkon të përcaktojë gatishmërinë e të rinjve për t’u bashkuar me Forcat e Armatosura, Bundeswehr.
Çdo djalë i ri në Gjermani duhet të plotësojë formularin, i cili pyet për aftësinë fizike dhe interesin për shërbimin ushtarak.
Mosrespektimi i këtij obligimi ose dhënia e të dhënave të rreme mund të rezultojë në gjobë. Përveç pyetjeve mbi gatishmërinë për shërbim, anketa mbledh të dhëna personale, përfshirë statusin martesor, gjatësinë, peshën dhe shtetësinë e dyfishtë, nëse ka.
Të rinjtë e të dy gjinive marrin një letër me një kod QR që lidhet me formularin online, por vetëm djemtë janë të detyruar të plotësojnë anketën. Autoritetet gjermane thonë se kjo iniciativë synon të mbledhë informacion për planifikimin e kapaciteteve të ardhshme ushtarake, duke përfshirë edhe rekrutimin potencial në raste emergjencash.
Disa ekspertë vërejnë se mënyra e ndarjes së pyetjeve dhe detyrimi për t’u përgjigjur mund të ngjallë shqetësime mbi privatësinë dhe presionin mbi të rinjtë, ndërsa qeveria mbetet e fokusuar në qëllimin e sigurisë kombëtare dhe gatishmërisë mbrojtëse.
