Trenjakë janë fëmijët e parë që kanë lindur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në vitin 2026, duke shënuar simbolikisht fillimin e një viti të ri për shëndetësinë dhe jetën në vend.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Fjolla u bë nënë për herë të parë, ndërsa trenjakët e saj janë fëmijët e parë që lindën në QKUK në vitin 2026. Nëna Fjolla dhe tre djemtë janë shëndoshë e mirë. Urime prindërve dhe familjes. Të porsalindurve u dëshirojmë shëndet dhe jetë të gjatë. Falënderim për stafin shëndetësor për shërbimin, kujdesin dhe përkushtimin në çdo minutë e orë të ditës”, ka shkruar Kurti.
Ndërrimi i motmoteve është shënuar me gëzim edhe në rajon. Në Shqipëri, foshnjat e para që kanë ardhur në jetë në vitin 2026 janë binjake, duke sjellë po ashtu lajme të mira në orët e para të vitit të ri.
Ndërkohë, bota ka shënuar ndërrimin e motmoteve, me qytete anembanë globit që kanë hyrë në vitin 2026 përmes festimeve, masave të sigurisë dhe ngjarjeve simbolike.
Orët e para të vitit të ri tradicionalisht shënohen edhe me lindjet e para në institucione shëndetësore, të cilat konsiderohen si tregues i vazhdimësisë së jetës dhe fillimit të një kapitulli të ri.
