Gazeta italiane, Corriere Della Sera, ka shkruar për fitoren e Kurtit, duke e cilësuar atë si populist e si “Che Guevara i Ballkanit”. Aty theksohet edhe se gjatë qeverisjes së Kurtit “korrupsioni dhe kriminaliteti janë në qiell”.
CORRIERE DELLA SERA Gazeta italiane për fitoren e Kurtit: Korrupsioni e krimi në qiell
Albin Kurti
Si “populist” dhe si “Che Guevara i Ballkanit” është cilësuar Albin Kurti në një artikull të gazetës prestigjioze italiane, Corriere Della Sera, për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Aty theksohet se gjatë qeverisjes së Kurtit “korrupsioni dhe kriminaliteti janë në qiell, drejtësia dhe shëndetësia po ashtu në gjendje të mjerueshme”.
Kurti, potencohet aty, “bëri gjithçka që mundi, gjatë dy javëve të fushatës elektorale, për të siguruar mandatin e tretë”, duke përmendur premtimin për 100 euro pas zgjedhjeve për pensionistët dhe fëmijët.
Në këtë shkrim të prestigjiozes italiane, thuhet se Kurtit “i faturohen 25 për qind papunësi, me një në pesë kosovarë nën kufirin e varfërisë dhe të rinjtë të detyruar drejt emigrimit të vazhdueshëm”.
Aty përmendet edhe Presidentja Vjosa Osmani. Ajo cilësohet si “besnike” e Kurtit dhe se është “e gatshme t’ia japë atij mandatin e pashmangshëm”.
Përkthimi jo zyrtar i artikullit të plotë të Corriere Della Sera:
“Duhet të jesh i fortë pa e humbur kurrë butësinë”, thoshte idhulli i tij Che Guevara. Ai ia ka dalë ta zbatojë këtë në një antitezë të përkryer: duke mbetur i butë me shumicën e qytetarëve të Kosovës, që ende i adhurojnë premtimet e tij populiste; dhe duke qenë jashtëzakonisht i ashpër në politikat antiserbe, të cilat e irritojnë thellë Bashkimin Evropian dhe i bezdisin, sadopak, edhe Shtetet e Bashkuara.
Albin Kurti, 50 vjeç, kryeministri në detyrë që e quanin “Che”-n e Ballkanit që kur ishte i ri dhe protestonte kundër nacionalizmit të Jugosllavisë së fundit të Slobodan Millosheviç-it, do të provojë sërish t’i japë qeveri vendit më të ri, më të varfër dhe ndoshta më të paqëndrueshëm të Evropës. Partia e tij e majtë nacionaliste, Vetëvendosje (VV), sipas exit poll-eve ka fituar 49.1 për qind të votave. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk duket se ka shumicë absolute për të qeverisur e vetme, por ka mjaftueshëm vota për të tentuar një koalicion pothuajse të pamundur. Presidentja e re, Vjosa Osmani, aleatja e tij më besnike dhe në përfundim të mandatit, është e gatshme t’ia japë mandatin e pashmangshëm.
“Che”-ja ka bërë gjithçka, gjatë dy javëve të një fushate elektorale, për të siguruar mandatin e tretë: ka premtuar 100 euro për çdo pensionist, 100 euro të tjera për familjet me fëmijë të vegjël, një pagë shtesë mujore për punonjësit e sektorit publik, një miliard euro investime, një prokurori të re antimafia…
Në votimin e katërt brenda dhjetë muajsh, në një krizë politike që zgjat prej shkurtit, në një garë fundviti që çoi në votime vetëm një qytetar në tre, Kurti në fund ia doli, dhe nuk kishte sondazh që parashikonte ndryshe. Kundërshtarët e tij u konsideruan tepër të dobët: PDK-ja, trashëgimtare e “partizanëve” të UÇK-së së luftës së pavarësisë (19.9 për qind), dhe LDK-ja, pasardhëse e “babait të kombit” Ibrahim Rugova (14 për qind).
Kur u zgjodh për herë të parë, në vitin 2021, Kurti fitoi shumicën absolute. Por programi i tij i “krenarisë kosovare” nuk pranonte aleatë dhe sot, edhe pse pranë kufirit të 50 për qind, askush nuk beson për një zgjidhje të lehtë të krizës. Prej muajsh, të gjithë refuzojnë të qeverisin me Kurtin. Atij i faturohet një papunësi prej 25 për qind, me një kosovar në pesë nën pragun e varfërisë dhe me të rinjtë të detyruar të emigrojnë pa ndërprerje. Korrupsioni dhe kriminaliteti janë në qiell, drejtësia dhe shëndetësia po ashtu në gjendje të mjerueshme, ndërsa kreditë e BE-së dhe Bankës Botërore po shkojnë drejt skadimit.
Çështja më e ndjeshme mbetet marrëdhënia me Serbinë. Donald Trump është mburrur se e ka “mbyllur” edhe këtë konflikt, por bisedimet e Kurtit me Beogradin janë të ndërprera që nga viti 2023 dhe mbi Kosovën — ku 900 ushtarë italianë përbëjnë kontingjentin më të madh të NATO-s — rëndojnë sanksionet evropiane. Akuza e komunitetit ndërkombëtar ndaj Kurtit është se ka rihapur përplasjen me serbët, me trupa të dislokuara në kufij për herë të parë që nga viti 1999.
“Che”-s iu kërkua të tregonte përmbajtje. Por dëshira për të provokuar ishte shumë e fortë. Shpërthimi i fundit erdhi nga miku i tij Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Osmani, duke folur për hotelin Trump të planifikuar për Beogradin. Disa orë para votimit, Prindoni reagoi: “I dashur Trump”, tha ai, “çfarë Serbie? Pse nuk vjen ta ndërtosh hotelin tënd në Prishtinë?”.
Më shumë sesa ashpërsi apo butësi, ajo që nevojitet urgjentisht është pak më shumë zgjuarsi politike.
