Reagim i fortë nga Ziadin Sela, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, pas zgjedhjes së Mile Stefkovskit nga VMRO-DPMNE si kryetar i Këshillit Komunal të Strugës. Vendimi u mbështet edhe nga votat e koalicionit VLEN, gjë që sipas Selës, shkel parimet e drejtësisë dhe interesat e shqiptarëve.
Ja reagimi i plotë:
Ka qenë e qartë që në fillim se asnjë ndryshim nuk do të vinte me këtë lloj koalicioni për Strugën dhe qytetarët e saj. Kandidatura e ashtuquajtur e pavarur aspak nuk ishte e tillë, kishte shumë parakushte që fatkeqsisht i shohim çdo ditë tek plotësohen…
👉Nëse “ndryshimi” është Merko dhe VMRO, kjo nuk quhet ndryshim po vazhdimësi.
👉Nëse kompromisi sot i arrire bëhet mbi kurrizin e drejtësisë dhe llogaridhënies nga pushtetarët e deri djeshem të komunës së Strugës, kjo nuk është zero korrupsion, por shumëfishim dhe vazhdim i korrupsionit.
👉Nëse zgjedhja e një kandidati të VMRO-së për kryesues të këshillit e kamufloni me bashkëjetesë ndërmjet komuniteteve etnike dhe demokraci, atëherë lind pyetja: pse Buteli, me mbi 50 për qind trup votues shqiptar, nuk e ka kryesuesin e këshillit shqiptar? Pse Bervenica jo? Dhe pse, sipas së njëjtës logjikë, nuk kryesohet Këshilli i Qytetit të Shkupit nga një shqiptar?
P.S. Nga sot këshilli i komunës së Strugës nuk udhëhiqet në gjuhën shqipe!
