Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”, ka potencuar se Lëvizja Vetëvendosje synon një fitore të qartë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, duke marrë mbi 50 për qind të votave.
“Na duhet një fitore vendimtare. Në shkurt fituam me 42.3 për qind dhe këtë herë duam ta tejkalojmë 50 për qindëshin”, tha ai.
Duke folur për marrëdhëniet Kosovë–Serbi, Kurti theksoi se normalizimi është i domosdoshëm, por mbetet i vështirë për shkak të, siç u shpreh ai, regjimit autoritar në Serbi. Sipas tij, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, gjë që e vështirëson procesin e dialogut.
Ai tha se ekziston një marrëveshje për normalizim, e cila duhet të zbatohet dhe që, sipas Kurtit, nënkupton njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, të paktën njohje de facto.
Kurti deklaroi gjithashtu se për rifillimin e dialogut, Serbia duhet ta dorëzojë Milan Radojiçiçin, i cili akuzohet se ka udhëhequr sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, gjatë të cilit u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai shprehu shpresën se Bashkimi Evropian, si dhe Gjermania e Franca, do t’i bëjnë presion Serbisë për dorëzimin e tij.
Në intervistë, Kurti shprehu edhe shqetësim për ndikimin rus në rajon, duke thënë se ekzistojnë lidhje të forta mes Rusisë dhe Serbisë dhe se Moska mund ta shohë Beogradin si aleat në rrugën e saj drejt Evropës Perëndimore. Sipas tij, kjo përbën rrezik për Kosovën, por vendi po punon me partnerët ndërkombëtarë për ta parandaluar një ndikim të tillë.
Kurti foli edhe për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për pranimin e deri në 50 migrantëve nga vendet e treta, të cilët janë ekstraduar nga SHBA-ja. Ai bëri të ditur se deri më tani në Kosovë ka arritur vetëm një person.
“Ne nuk po kërkojmë ndihmë financiare në këmbim. Këtë po e bëjmë për ta ndihmuar SHBA-në, e cila është partnere, aleate dhe mike e jona”, tha Kurti, duke shtuar se nuk e përjashton mundësinë e arritjes së marrëveshjeve të ngjashme edhe me shtetet evropiane.
