Një raport i ri i Pentagonit paralajmëron se Kina ndodhet në mes të një “ndërtimi ushtarak historik”, i cili po e bën Shtetet e Bashkuara “gjithnjë e më të cenueshme”, raporton Bloomberg, duke cituar dokumentin zyrtar amerikan.
Sipas raportit, zhvillimet e shpejta ushtarake të Pekinit vënë në pikëpyetje planet e presidentit Donald Trump për vendosjen e kufizimeve të reja mbi arsenalet bërthamore të SHBA-ve, Kinës dhe Rusisë.
Pentagoni thekson se ushtria kineze po bëhet gjithnjë e më e sofistikuar dhe më rezistente, ndërsa tregohet e kujdesshme ndaj marrëveshjeve të mëdha me Washington-in.
Raporti nënvizon se Kina po nxjerr mësime nga dështimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë, teksa njëkohësisht po rrit presionin ndaj Tajvanit.
Ndërkohë, edhe pse Pekini dhe Moska vazhdojnë të thellojnë partneritetin e tyre strategjik – “pothuajse me siguri të nxitur nga një interes i përbashkët për të kundërshtuar Shtetet e Bashkuara” – bashkëpunimi i tyre mbetet i kufizuar nga mosbesimi i ndërsjellë, thekson raporti.
Ekspertët e cituar nga Bloomberg paralajmërojnë se Kina ka kaluar SHBA-të në zhvillimin e armëve hipersonike, të cilat paraqesin një sfidë serioze për sistemet aktuale të mbrojtjes.
Në këtë kontekst, administrata Trump po shtyn përpara projektin e ashtuquajtur “Iron Dome” amerikan, i konceptuar për t’u mbrojtur nga kërcënime të avancuara, përfshirë armët hipersonike dhe raketat balistike tradicionale.
Raporti i Pentagonit rikujton gjithashtu se SHBA ka zbuluar më shumë se 100 raketa me karburant të ngurtë DF-31 në silo sekrete kineze pranë kufirit me Mongolinë.
Sipas vlerësimeve amerikane, Kina po modernizon arsenalin e saj bërthamor më shpejt se çdo vend tjetër dhe deri në vitin 2030 pritet të ketë mbi 1 mijë koka bërthamore.
