Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë Spiropali u takua edhe me Presidenten e vendit Gordana Siljanovska Davkova, Kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi dhe kryeministrin Hristijan Mickoski. Në takim me Presidenten, siç u kumtua, të dyja janë dakorduar se rajoni në tërësi duhet të integrohet në Bashkimin Evropian pa vonesa të mëtejshme. Siljanovska-Davkova e ka përshëndetur përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke theksuar se në kontekstin aktual gjeopolitik, përparimi i çdo vendi ka një efekt pozitiv mbi dinamikën rajonale të integrimit evropian. E kryeparlamentari Afrim Gashi në takim ka konstatuar se të dyja vendet po ndërtojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, me dialog intensiv politik dhe bashkëpunim në një numër të konsiderueshëm fushash me interes të ndërsjellë. Nga ana e saj, Spiropali ka siguruar se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Maqedoninë e Veriut në proceset evropiane deri në tejkalimin përfundimtar të të gjitha vështirësive që lindin në rrugën evropiane, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Në Qeveri, në takimin me kryeministrin Mickoski, siç u kumtua nga kabineti i tij, gjatë takimit është diskutuar për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, ndërsa theksi i veçantë është vënë mbi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit./TV21
