Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur Arabinë Saudite si një aleat kryesor jo-NATO të Shteteve të Bashkuara gjatë vizitës së princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman, në Washington. Takimi i dy liderëve rezultoi me nënshkrimin e një serie marrëveshjesh që përfshijnë shitje armësh, bashkëpunim në energjinë bërthamore civile, inteligjencën artificiale dhe minerale kritike.
Gjatë një darke formale në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se SHBA do të çojë “bashkëpunimin ushtarak në nivele edhe më të larta” duke shpallur Arabinë Saudite aleat kryesor jo-NATO. Kjo shpallje sjell privilegje ushtarake dhe ekonomike për Riadin, pa krijuar angazhime të drejtpërdrejta sigurie.
Si pjesë e marrëveshjeve, SHBA dhe Arabia Saudite nënshkruan një “marrëveshje historike strategjike për mbrojtjen”, e cila, sipas Shtëpisë së Bardhë, forcon mbrojtjen në Lindjen e Mesme, lehtëson veprimtarinë e kompanive amerikane të mbrojtjes në Arabinë Saudite dhe siguron fonde nga Riad për të mbuluar pjesërisht kostot amerikane.
Përveç kësaj, Trump miratoi shpërndarjen e ardhshme të avionëve luftarakë F-35 në Arabinë Saudite, ndërsa Rijadi ka rënë dakord të blejë 300 tanke amerikane. Ky është shitja e parë e F-35-ve për Arabinë Saudite dhe një ndryshim i rëndësishëm politik nga ana e Washingtonit, i cili mund të ndikojë në ekuilibrin ushtarak në Lindjen e Mesme, ku Izraeli ka mbajtur deri tani avantazhin e “epërsisë ushtarake cilësore”.
Trump shtoi se modeli i avionëve që do t’i shitet Arabisë Saudite do të jetë kryesisht i njëjtë me atë që operon Izraeli, duke theksuar se të dy aleatët meritojnë avionët më të avancuar. Pjesë e investimit prej rreth 1 trilion dollarësh të princi Mohammed në SHBA përfshin 142 miliardë dollarë për blerjen e F-35-ve, avionë të cilët konsiderohen më të avancuarit në botë.
