Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot Mitrovicën e Jugut. Ai fillimisht kishte planifikuar një ndalesë në një kafe në lagjen Tavnik, ku sipas raportimeve ishin mbledhur mbështetës të PDK-së dhe të LVV-së. Në momentin që mbrojtja e afërt ka shkuar në lokalin e caktuar, pronari, Gani Haziri, ka konstatuar tensione mes mbështetësve dhe ka vendosur ta mbyllë lokalin, duke i nxjerrë jashtë klientët për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Në një prononcim për media, Haziri sqaroi se vendimin për ta mbyllur lokalin e mori vetë, për të shmangur përplasjet mes simpatizantëve politikë.
“Asnjë palë nuk ka kërkuar që të lirohet hapësira, por e pash që gjendja po dilte nga kontrolli, për mos me e u bë diçka më e madhe. Unë e mora vesh nga punëtorët e mi, më thanë që po vjen Albin Kurti. Por e pash që po eskalon situata, dhe për këtë arsye mbylla lokalin”, u shpreh ai.
Më tej ai shtoi se asnjë grup simpatizantësh nuk ka protestuar apo kërkuar largimin nga lokali, duke theksuar se qëllimi i tij ishte vetëm ruajtja e qetësisë.
