Pas një periudhe heshtjeje pas zgjedhjeve në Çair, Bujar Osmani është rikthyer me një shkrim të gjatë reflektues, ku flet për humbjen, politikën dhe rikthimin e tij te profesioni i kirurgjisë.
Në tekstin e tij, Osmani thekson se humbja nuk është fund, por rikalibrim i drejtimit, duke shtuar se pas çdo përpjekjeje të madhe vjen një kohë reflektimi që ndihmon për të kuptuar më thellë vlerat dhe motivet personale.
“Nuk jam tërhequr; jam rikalibruar. Jam këtu me më shumë përvojë, më shumë qetësi dhe më shumë bindje se rruga e vërtetë nuk është ajo që të ngre përkohësisht, por ajo që të mban i drejtë përgjithmonë,” – shkruan Osmani.
Ai rrëfen se kthimi në sallën e operacionit nuk ishte largim nga politika, por një mënyrë për të rifituar ekuilibrin dhe për të gjetur qetësinë që mungon në jetën publike.
“Në sallën e operacionit nuk ka spin, nuk ka audiencë – ka përqendrim dhe përgjegjësi. Lidershipi nuk matet me kolltuk, por me qëndrim,” – thekson Osmani.
Në përfundim, ai thekson se fitoret janë të përbashkëta, por humbjet janë personale, dhe se më shumë vlerë ka të qëndrosh i ndershëm pas humbjes sesa të fitosh me zhurmë.
Shkrimi i Osmanit është pritur gjerësisht si një mesazh qetësie, reflektimi dhe maturie politike, që sinjalizon një rikthim të tij në skenën publike me më shumë përvojë dhe vetëdije.
