Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka dalë sot me një deklaratë për mediat, duke sqaruar ligjin për barazinë gjinore të miratuar dje me 77 vota në Kuvend. Ajo ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës dhe shoqërisë civile se ligji i hap rrugë identiteteve të shumëfishta, duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë.
Luarasi u shpreh se ligji synon të promovojë barazinë gjinore dhe të sigurojë mbrojtjen e të drejtave të individëve, pa krijuar mundësi për përfshirjen e identiteteve të shumëfishta, siç është shpesh argumentuar nga kundërshtarët e ligjit.
Në deklaratën e saj, ajo ka përmendur disa shtete të Bashkimit Evropian, të cilat kanë kufizuar konceptin e gjinisë vetëm në dy sekset biologjike. Megjithatë, Luarasi tha se këto shtete nuk janë shembuj të mirë për t’u ndjekur, pasi janë duke shkelur parimet themelore të së drejtës evropiane.
“Është e vërtetë që 2-3 shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar ose propozuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë konceptin e gjinisë vetëm në ‘dy sekse biologjike’. Por, këto nuk janë shembuj për t’u ndjekur nga një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, pasi janë shkelje të parimeve themelore të së drejtës së Bashkimit Evropian,” tha Luarasi.
