Aktivisti Tim Shkupi ka publikuar një reagim të ashpër në rrjete sociale, drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, duke ngritur akuza serioze ndaj mos reagimit nga qeveria per ish-ministrin të Drejtësisë, Krenar Lloga.
Në shkrimin e tij, Shkupi pretendon se qeveria aktuale dhe ajo e kaluar kanë pasur “probleme serioze me grupe islamiste”, ndërsa përmend konkretisht një rast ku, sipas tij, “ministri Krenar Lloga hoqi ndalesën për dosjen e hoxhës Ahmed Kalaja”.
“Kam obligim qytetar të informoj, ashtu siç keni qenë të informuar edhe ju për dosjen e keqe të hoxhës Ahmed Kalaja, kur ministri i Drejtësisë nga qeveria e kaluar, Krenar Lloga, ia hoqi ndalesën”, shkruan Shkupi.
Ai i bën thirrje Mickoskit të mos neglizhojë këto çështje, duke e paralajmëruar se “nëse vazhdon të besojë njerëz të gabuar, mund të përballet me pasoja të papritura”.
Në vijim të reagimit, Shkupi kritikon edhe publikimin e një fotografie të tij nga persona që, sipas tij, “kanë lidhje me qarqe të dyshimta”, duke shtuar se veprime të tilla “cenojnë lirinë e qytetarëve dhe sigurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
Duke mbyllur postimin e tij me tone të forta, Shkupi thekson: “Unë e di se jetoj në Maqedoni, e jo në Pakistan”, duke e konsideruar këtë si një mesazh kundër çdo tendence për radikalizim fetar apo politik në vend.
As Mickoski dhe as Krenar Lloga nuk kanë reaguar ende publikisht lidhur me akuzat e ngritura.
