Profesori universitar i filozofisë dhe analisti politik, Blerim Latifi, vlerëson se njohja e Kosovës nga Siria është rezultat i veprimeve të Izraelit në Lindjen e Mesme. Sipas tij, me këto veprime, “Siria u zhvendos nga orbita e Rusisë dhe Iranit në orbitën amerikane”.
Postimi i plotë i Latifit në rrjetin “Facebook”, pa ndërhyrje:
“Siria nën Asadin ishte një satelit i Iranit dhe Rusisë. Milicitë e Hezbollahut patën rol vendimtar në mbajtjen e Asadit në pushtet përgjatë luftës civile që nisi aty në vitin 2011. Pastaj Irani nxiti Hamasin dhe Hezbollahun që të sulmojnë Izraelin. Në përgjigje, Izraeli shkatërroi Hamasin, shpartalloi Hezbollahun dhe bombardoi Iranin, duke e nxjerrë jashtë loje për dhjetë ditë lufte. Pa Iranin dhe Hezbollahun, Asadi nuk mund të qëndronte më në pushtet. Regjimi i tij ra si një kullë prej letre dhe milicitë e Ahmed Al Sharas marshuan në Damask. Kështu Siria u zhvendos nga orbita e Rusisë dhe Iranit në orbitën amerikane. Njohja e Kosovës nga Siria është rezultat i kësaj zhvendosjeje.Është një përfitim i yni i tërthortë nga fitorja e madhe e Izraelit në Lindjen e Mesme. Tregimet tjera për procesin që solli deri te kjo njohje janë thjesht dokrra hini.”
