Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, tha të enjten se ai nuk do të pajtohej për një marrëveshje normalizimi me Arabinë Saudite, nëse ajo do ta nënkuptonte themelimin e një shteti palestinez, duke thënë në mënyrë përçmuese që sauditët “mund të vazhdojnë t’u grahin deveve”.
“Nëse Arabia Saudite na thotë “normalizim në këmbim të një shteti palestinez”, miq – jo, faleminderit. Vazhdoni t’u grahni deveve në shkretëtirë në Arabinë Saudite dhe ne do të vazhdojmë që të zhvillohemi me ekonominë, shoqërinë, shtetin dhe me gjërat e mrekullueshme që ne dimi si t’i bëjmë” – tha ministri me bindje të së djathtës ekstreme, duke folur në një konferencë të organizuar nga instituti “Zomet” dhe gazeta “Makor Rishon”, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Komentet e Smotrich-it u dënuan nga disa udhëheqës të opozitës izraelite, të cilët e akuzuan për padije dhe shkaktim të dëmeve, duke thënë se ai nuk e përfaqëson Izraelin dhe i bënë thirrje që të kërkonte falje.
Kryetari i partisë Zionizmi Religjioz kërkoi falje disa orë më vonë. “Komenti im për Arabinë Saudite ishte absolutisht jo i duhur dhe unë kërkoj falje për fyerjen që ai e shkaktoi” – tha Smotrich. Në të njëjtën kohë, ai shtoi: “Unë pres nga sauditët që të mos na bëjnë dëm dhe të mos e mohojnë trashëgiminë tonë, traditën tonë dhe të drejtat e popullit hebraik ndaj atdheut të tij historik në Judea dhe Samaria, dhe të ndërtojnë paqe të vërtetë me ne.”
Komentet e tij erdhën pas një votimi të së mërkurës në Kuvendin e Izraelit, ku u miratua në lexim preliminar një projektligj me të cilin do të zbatohej sovraniteti izraelit mbi vendbanimet e Bregut Perëndimor, pavarësisht kundërshtimeve nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe partia e tij, Likud.
Muajin e ardhshëm, presidenti amerikan, Donald Trump, do ta presë në Shtëpinë e Bardhë princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, me të cilin, mes tjerash, pritet të diskutojë edhe për avancimin e një marrëveshjeje për normalizim mes Izraelit dhe Arabisë Saudite./Nacionale
