Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, duke e cilësuar fitoren e VMRO-DPMNE-së si “historike” dhe si “fundin e kryengritjes politike të BDI-së” në këtë komunë.
Në një status në rrjetet sociale, Kostovski ka falënderuar ekipin e tij zgjedhor dhe qytetarët e Butelit për mbështetjen e dhënë.
“Sonte u takova me njerëzit e shtabit tim zgjedhor – forca goditëse e VMRO-DPMNE-së në Butel. Ju falënderoj për fitoren historike! Faleminderit të gjithë qytetarëve që më besuan dhe që e duan komunën e Butelit ashtu siç e njohin. Faleminderit që zgjodhët zhvillim dhe stabilitet”,- ka shkruar Kostovski.
Në foton e publikuar bashkë me postimin, Kostovski shfaqet qafë për qafë me bashkëpunëtorin e tij nga fshati Lubeten, Rasim Muratin, i cili luajti rol të dukshëm në organizimin e terrenit gjatë fushatës.
Fitorja e VMRO-së në Butel është interpretuar nga shumë analistë si rezultat i luftës së fortë politike në një komunë gjithnjë e më heterogjene, ku rritja e numrit të shqiptarëve ka ndryshuar ndjeshëm balancat elektorale.
Sipas disa komenteve në rrjete sociale, mbështetja e disa votuesve shqiptarë për kandidatin maqedonas shihet si një formë tradhtie politike, pasi gara në Butel shpesh është parë si simbol i përfaqësimit të shqiptarëve në Shkupin verior.
Kjo, sipas vëzhguesve, i ka dhënë edhe më shumë peshë deklaratës së Kostovskit, i cili e përshkroi rezultatin si “fundin e kryengritjes politike të BDI-së”.
“Kryengritësve të rrëzuar u dërgoj një mesazh: herën tjetër do t’i mundim edhe më fuqishëm!”, – ka shtuar ai me tone ironike.
Rezultati në Butel pritet të mbetet ndër më të komentuarit e këtyre zgjedhjeve, si për rivalitetin e ngushtë politik, ashtu edhe për ndërthurjen e interesave ndëretnike në një zonë gjithnjë më të ndjeshme politikisht.