Jurist me profesion dhe me një sfond solid arsimor, Suat Shaqiri të dielën ka bërë histori në zgjedhjet lokale në Maqedoni. Si kandidat i BDI-së brenda koalicionit ‘Aleanca Kombëtare për Integrim’, ai ka siguruar fitore bindëse kundrejt rivalëve të tij maqedonas nga LSDM dhe VMRO-DPMNE. Fitorja e tij në komunën që ndodhet në zemër të Maqedonisë, është kthesëshënuese për plot arsye. Kurdo që ka mbështetje partiake e përtejpartiake, brezi i ri i BDI-së mund të kthehet në model frymëzues qeverisës. Në Çashkë, ku harmonia ndëretnike u prish viteve të fundit nga nxitjet e bëra prej elementësh të afërt me VMRO-DPMNE-në, Shaqiri shfaqet fort i vendosur me vizionet e tij. “Jam kryetar i të gjithëve”, ishin fjalët e para në festën e madhe që përshkoi fshatin e tij të lindjes.
Col MEHMETI
20 tetor 2025 – Fitorja bindëse e 37-vjeçarit Suat Shaqiri në Çashkë e ka hak për t’u veçuar si një nga ngjarjet më të shënuara në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.
Me 2,322 vota ose 50,71 për qind, fituesi ka bërë histori në komunën në zemër të Maqedonisë duke u bërë kryetari i parë shqiptar i saj.
Në 24 qendërvotimet e numëruara gjithandej Çashkës, i riu shqiptar ka lënë pas dy rivalët e tij maqedonas, Goran Stojanovskin e LSDM-së që mori 1,110 vota (ose 24,24 për qind) dhe Dejan Andonovskin nga VMRO-DPMNE-ja me 1,074 vota (ose 23,45 për qind).
Me t’u dhënë kumti i rezultateve të mbara, atmosfera festive ka bërë vend kudo në Jabollçisht me qindra të rinj që gazmuan me flamuj kuqezi e valle.
“Unë do të jem këtu për të gjithë. Por një gjë e di për popullin tim, padrejtësia 35-vjeçare mori fund”, ishin fjalët e Shaqirit në mes të festës.
Një fushatë kreative larg ndasive
Ai ishte njëri nga tetë kandidatët nga radhët e BDI-së të përfshirë në listën me gjithsejt 23 kandidatë për kryetarë komunash të Aleancës Kombëtare për Integrim.
Krahas bashkëpartiakëve të tij në Likovë (Erkan Arifi) dhe Pllasnicë (Alija Jahoski), fitorja pa balotazh e Shaqirit i bie të jetë e arritura më e rëndësishme e BDI-së në rrethanat e humbjes në disa komuna në Pollog.
Prej fillimit e deri në mbarim, fushata e Shaqirit e shmangu mjaft mirë gjuhën divizive e cila mund të prodhonte mobilizim në baza etnike nga kontigjenca elektorale maqedonase.
Që nga fundgushti, paraqitjet e tij në media e tubime kanë qenë të kujdesshme e me thirrje gjithëpërfshirëse përkundër frymës shpesh armiqësore nga pala maqedonase.
Në të vërtetë, Shaqiri kishte qenë fare pranë fitores edhe në zgjedhjet lokale më 2021.
Më 1,434 vota, ai e kishte ndjekur ngushtë e këmba-këmbës rivalin e tij nga LSDM-ja, Goran Stojanovski që kishte marrë 1,685 vota – në mesin e tyre kishin qenë qindra vota shqiptare që asokohe shkonin te socialdemokratët maqedonas.
Çashka, aty ku nuk lejohet as një paralele shqipe
Me një popullatë prej afro 8 mijë banorësh, idili i qetë i komunës së Çashkës prej vitesh është plagosur keq nga animozitetet e banorëve maqedonas.
Megjithëse mbi gjysma e popullatës mbizotërohet prej shqiptarëve, banorët maqedonas kanë kundërshtuar prerë që në fshatin Çashkë, aty ku është qendra komunale, të hapet një paralele shqipe për klasën e parë.
Kërkesa e prindërve shqiptarë për një paralele shqipe në shkollën “Todor Janev” ashtu që nxënësit shqiptarë të mos mësonin maqedonisht ishte pritur me protesta e bllokime fizike nga prindërit maqedonas.
Madje, në dhjetor të vitit 2023, ata e kishin pamundësuar edhe fizikisht që mësimdhënësit dhe filloristët shqiptarë të hynin në ndërtesën e shkollës.
Kështu, nxënës nga fshatrat shqiptare të Banjicës, Hotishtinës, Elovecit, Busillcës, Starigradit, Novosellës dhe Vranocit të Poshtëm kishin mbetur peng i grupeve të asociuara me VMRO-DPMNE-në që nxitnin fesate ndëretnike.
Megjithëse Ministria e Arsimit në Maqedoninë e Veriut i kishte dhënë dritë të gjelbër hapjes së paraleles shqipe, madje Inspektoriati i Arsimit kishte konstatuar se ekzistonin kushte për vijim të mësimit, maqedonasit lokalë ishin treguar më të fortë se shteti.
Avokati i Popullit kishte vlerësuar se në Çashkë ishte shkelur Kushtetuta e vendit që garanton mësimin në gjuhën amtare për çdo shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Nën hijen e maleve të Jakupicës, zemra shqiptare e Maqedonisë
Me një sipërfaqe prej 819 kilometrash katrorë, komuna e Çashkës përfshin kryesisht perëndimin malor të Velesit buzë vargmaleve të Jakupicës në pjesën qendrore të vendit.
E themeluar së pari herë më 1996, komuna e Çashkës i ravijëzoi kufijtë e sotëm administrativë kur brenda saj u shkrinë komunat e dikurshme rurale të Bogomilës dhe Izvorit.
Më 2002, përbërja etnike e popullatës së përgjithshme prej 7,673 banorësh ishte e tillë ku maqedonasit ishin 4,395 vetë (57.3 për qind) dhe shqiptarë 2,703 vetë (35.2 për qind).
Para se të bëhej regjistrimi i mbramë i popullsisë, të dhënat vjetore të Agjencisë së Statistikave të Maqedonisë së Veriut flisnin për prirje demografike ku popullata shqiptare shquhej nga tregues të vazhdueshëm rritjeje.
Ajo arriti të bëhej shumicë kur, me rastin e regjistrimit të vitit 2021, në një popullatë prej 7,942 banorësh, shqiptarët u bënë grupi i parë etnik me 4,032 vetë ose 50.77 për qind, kurse maqedonasit dolën 3,071 vetë ose 38.67 për qind.
Më i madhi vendbanim shqiptar në Çashkë është Katundi i Epërm (Jabollçishti i Epërm) me 2,401 banorë, pasuar nga Katundi i Poshtëm (Jabollçishti i Poshtëm) me 1021 banorë.
Fill pas tij vjen Vranoci i Epërm me 318 banorë.
Banorë shqiptarë kanë edhe fshatrat Banjicë, Hotishtinë, Busilcë, Elovec, Starigrad dhe Novosellë.
I mirëarsimuar dhe me përvojë – një profil biografik i Shaqirit
I lindur më 1988 në Jabollçisht të Epërm, Suat Shaqiri ka mbaruar shkollimin e mesëm për mjekësi në Gostivar.
Studimet e larta i ka vazhduar në Universitetin e Tetovës në drejtimin juridik, krahas atij për shkenca politike në Universitetin e Europës Juglindore, aty ku përfundoi edhe një program masteri për diplomaci.
Po ashtu, ai ka vijuar studimet edhe në drejtimin Penal në Universitetin Kirili dhe Metodi në Shkup.
Nga viti 2012, ai ka nisur punën pranë Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, kurse më pas u angazhua si bashkëpunëtor profesional në Ministrinë e Drejtësisë.
Pjesë e përvojës së tij është edhe të qenit anëtar i grupit punues që e përpiloi strategjinë për reformën në sistemin juridik ashtu sikurse edhe përfshirja profesionale në ndryshimin e ligjeve të ndryshme. /Nacionale/