Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka ndarë një mesazh frymëzues nga Gazi Baba, ku është ndërtuar një fushë e re basketbolli që synon të bëhet qendër e jetës sportive dhe komunitare për të rinjtë e lagjes.
“Në Gazi Babë po rritet një brez që luan, mëson dhe zhvillohet me energjinë e sportit. Fusha e re e basketbollit që sapo kemi ndërtuar do të jetë vendi ku fëmijët tanë do të rriten me frymën e garës, ekipit dhe suksesit”, shkroi Mexhiti.
Ai theksoi se çdo investim në sport është një investim në të ardhmen e brezit të ri dhe në energjinë pozitive të komunitetit.
“Këtu, çdo kosh i shënuar është një hap drejt vetëbesimit, drejt ëndrrave që nisin nga rrugicat tona dhe shkojnë deri te arenat e mëdha. Ne besojmë në rininë e Gazi Babës. Prandaj investojmë në infrastrukturë sportive, në hapësira që i japin jetë lagjeve tona, në projekte që e bëjnë lagjen më të fortë e më të bukur”, ka theksuar ai.
Mexhiti shtoi se ky është vetëm fillimi i një politike që synon zhvillim, dinjitet dhe mundësi për çdo qytetar.
“Kjo është Gazi Baba, aktive, e gjallë, me energji pozitive dhe me vizion për të ardhmen. Kjo është politika jonë: të ndërtojmë, të zhvillojmë dhe t’i japim mundësi çdo fëmije të rritet me dinjitet dhe pasion”, ka shkruar Mexhiti në Facebook.
Në përfundim, kandidati i VLEN-it shprehu bindjen se projekti i Gazi Babës është vetëm një hap në drejtim të suksesit të madh që pret Çairin.
“Fusha e basketbollit është vetëm fillimi. Fitorja e madhe është ajo e Çairit!”, është shprehur Mexhxiti.