Një “balenë” e vjetër e Bitcoin-it shiti 2.3 miliardë dollarë – tregu bie menjëherë pas
Një nga mbajtësit më të hershëm dhe më të mëdhenj të Bitcoin-it ka shitur një pjesë të madhe të pasurisë së tij digjitale pas 14 vitesh heshtje. Sipas të dhënave nga rrjeti “blockchain”, të hënën në mbrëmje janë transferuar 20,000 BTC (me vlerë rreth 2.3 miliardë dollarë) nga një portofol që kishte ruajtur 80,000 BTC që prej vitit 2011. Monedhat janë dërguar te Galaxy Digital, një firmë e njohur për blerje e shitje të mëdha jashtë bursës.
Kjo është hera e parë që ky portofol lëviz ndonjë sasi Bitcoin-esh dhe menjëherë pas kësaj lëvizjeje, çmimi i Bitcoin ra nga rreth $123,000 në $117,000. Ekspertët thonë se nuk ka gjasa të jetë një përditësim i thjeshtë teknologjik, por një dalje strategjike nga tregu, pikërisht kur çmimi ishte pranë niveleve rekord.
Disa analistë e shohin këtë si një shenjë paralajmëruese: nëse ata që kanë mbajtur Bitcoin për më shumë se një dekadë po shesin tani, mund të jetë një tregues se tregu po afrohet me “kulmin” e tij.
Për momentin, nuk ka sinjale të tjera nga kjo “balenë”, por komuniteti i kriptomonedhave po e ndjek nga afër situatën.